Kryeministri Avdullah Hoti tha se për një muaj punë ia ka kthyer Kosovës mbështetjen që i mungonte nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.

Përmes një statusi në Facebook, Hoti theksoi se “askush nuk duhet të trazohet nga normaliteti që po ndërtojmë, sepse është edhe në të mirën e tyre“.

Për një muaj, ne e rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin, përkrah miqve tanë ndërkombëtarë. Nga një raport i lënduar me BE dhe SHBA, tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut, që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve.

Për një muaj, ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës, të cilën më nuk e përmend kush. Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë. Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t’u përballur është tashmë pas nesh“, theksoi Hoti./21Media