Në vazhdën e vizitave në Prizren, kryeministri Avdullah Hoti ka qëndruar sot për vizitë në Reçan, me ç’rast ka shprehur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë që ai drejton për komunitetin boshnjak.

Hoti me këtë rast ka bërë të ditur se Qeveria që ai drejton ka ndarë edhe dy milionë euro si pjesë e rimëkëmbjes ekonomike për komunitetet jo shumicë, për të ndihmuar bizneset dhe familjet në kushte të vështira.

“Mbështetja e qeverisë është e plotë në veçanti për projekte që tash ka nisur të realizohet pas katër viteve, por edhe projekte të tjera. Ishim sot në shkollë për të treguar mbështetjen e plotë që kjo qeveri ka edhe për arsimin edhe në gjuhën e komuniteteve. Për herë të parë në Ministrinë e Arsimit, ne do të themelojmë një divizion që do të merret vetëm me arsimin në gjuhën e komuniteteve…Kemi ndarë edhe 2 milionë euro si pjesë e rimëkëmbjes ekonomike për komunitetet jo shumicë për dy qëllime për të ndihmuar bizneset dhe familjet që janë në kushte më të vështira…Vëmendje më të madhe për komunitetet në Kosovë nuk ka pasur nga asnjë qeveri”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit boshnjak, Rasim Demiri ka shprehur rëndësinë e nisjes së punimeve të rrugës Prizren-Prevallë, e cila do të lehtësojë jetën e banorëve të kësaj ane.

“Më në fund ka nisur ajo për të cilën jemi angazhuar që katër vjet. Kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës Prizren-Prevallë, përkatësisht rruga rajonale R-15. Me këtë rast dua të uroj të gjithë banorët të cilët ishin të ekspozuar ndaj rrezikut të madh përgjatë rrugës që çon drejt Prizrenit. Projekti ka nisur në vlerë 15-16 milionë euro”, tha Demiri.

Ndryshe, investime në këtë fshat premtoi edhe ministri i Infrastrukturës Arban Abrashi.