Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, tha se në vend gjendja me COVID-19 është tepër e rëndë për çka ka prezantuar masat e reja të ndërmarra të cilat do të hyjnë në fuqi ditën e premte.

Masat më të rrepta janë për komunat që janë në zonën e kuqe, ku veprimtaria ekonomike do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 19:00, pas kësaj ore do të mbyllen të gjitha, e edhe lëvizja e qytetarëve.

“Në komunat që janë në zonën e gjelbër kemi lejuar që sektorët ekonomik të punojnë nga ora 05:00 deri në 20:00. Kemi rregulluar transportin publik dhe të taksive. Kemi kufizuar qendrat tregtare nga 05:00 deri në 20:00. Gastronomisë nga ora 05:00 deri në 20:00, pas kësaj merr me vete”, tha ai.

“Komunat me rrezik të mesëm, punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Gastronomia 05:00 deri në 18:00, pas kësaj ore merr me vete. Në këto komuna institucionet publike dhe private punojnë me stafin esencial. Qendrat tregtare nga ora 05:00 deri në orën 18:00”, tha ai.

“Rreziku më i lartë është në komunat që tejkalojnë 150 të infektuar brenda javës. Janë 7 komuna dhe duke e pa madhësinë i kemi marrë dy veprime, e lejojmë aktivitetin ekonomik të zhvillohet deri në orën 19:00. Nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i lëvizjes së qytetarëve në këto komuna. Ndalohet hyrje-daljet nga këto komuna nga ora 19:00 deri në orën 05:00”, tha ai.

Ai tha se do të kthehen ekipet mjekësore në kufi, derisa mësimi në arsimin e lartë do të mbahet online.

“Kemi vendosur që t’i kthejmë ekipet mjekësore në pikat kufitare. Kemi kërkuar nga komunat që ti ngrisin shtabet e tyre emergjente për të mbikëqyrur personat që janë të prekur me COVID-19, të sëmurët kronik. Kemi rregulluar funksionimin e disa sektorëve të ekonomisë, lejohet sektori i prodhimit, ndërtimit, të transportit të mallrave dhe distribuimit. Këto masa janë për tërë territorin e Kosovës”, tha ai.

“Janë bërë riorganizimet e nevojshme brenda spitalit, duke rritur shtretërit mbi 800. Sot janë 626 pacientë që janë shtrirë nëpër spitale. Bazuar në numrin e të infektuarve IKShPK ka nxjerrë statistikat duke i kategorizuar komunat në tri grupe, me ngjyrë të gjelbër që është zona me rrezik të ulët, kategoria e dytë komunat ku numri i rasteve shkon nga 76-150. Komunat me të kuqe kur rastet kalojnë brenda javës 150 raste të reja”, tha Hoti.