Tri palë dosje u sollën në selinë e OVL të UÇK-së dhe Qeveria e Kosovës nuk reagoi asnjë herë.

Veteranët thanë se dokumentet i takojnë Gjykatës Speciale dhe se ato dëshmojnë bashkëpunimin e Serbisë me këtë gjykatë për ngritjen e aktakuzave për kinse krime lufte.

E gjatë kësaj kohe, kryeministri Avdullah Hoti nuk e ka parë të udhës që të reagojë ndaj këtyre zhvillimeve.

Në një konferencë për media, i pari i Ekzekutivit është pyetur rreth dokumenteve, të cilat më pas u morën nga hetuesit e Speciales.

Hoti tha se asnjë ‘qeveri normale’ nuk ka pse të reagojë lidhur me dokumentet që Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së pretendon se kanë rrjedhë nga Gjykata Speciale.

Ai është shprehur se krejt ajo çka mund të deklarojë rreth kësaj është të bëjë thirrje që drejtësia të kryejë punën në mënyrë të paanshme.

“Ndoshta çuditeni sepse tash e tre muaj ka një qeveri normale, e cila i ka kompetenca te veta, e cila nuk përzihet në punët e drejtësisë, ndoshta çuditeni që e kemi këtë qasje por kjo është qasja më normale që duhet të ketë çdo qeveri, çdo ekzekutiv. Punët e drejtësisë janë të ndara nga punët e përditshme të qeverisë. Kjo është arsyeja pse nuk keni pa reagim, sepse unë nuk vlerësoj që është punë e qeverisë të reagojë. Unë mund të bëj thirrje që drejtësia të kryejë punën e vet në mënyrë të paanshme, vetëm kaq”, ka thënë Hoti.

Drejtuesit e OVL-UÇK kanë deklaruar se tri herë me radhë një person i panjohur është futur në zyrat e tyre dhe ka lënë mijëra dosje që sipas tyre i takojnë Speciales./kp