Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës, kanë bërë homazhe në Prekaz, për nder të Ditës së Flamurit.

Përmes një postimi në “Facebook”, Hoxhaj, ka thënë se shënuan 28 Nëntorin në Prekaz, me anëtarë të Kryesisë së PDK-së, Grupit Parlamentar dhe kryetarë të Degëve të PDK-së.

Ai ka thënë se 28 Nëntori është ngjarja më sublime e rrugëtimit tonë në histori, të ngritjes tonë si komb shqiptar dhe si popull në Kosovë!

Gjithashtu, nuk la pa i përmendur edhe kryetarin e PDk-së Kadri Veseli dhe ish kryetarin e kësaj partie, Hashim Thaçi, të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte.

Hoxhaj, tha se ky nëntor është i rëndë për çdo qytetar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni Veriore e kudo që gjenden në botë, për shkak se na gjeti pa udhëheqësit kryesorë të luftës për lirinë e Kosovës, pa presidentin Hashim Thaçi, kryetarin Kadri Veseli, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Sali Mustafën.

Kryetari në detyrë i PDK-së, gjithashtu i ka bërë thirrje çdo qytetari që hidhërimin për këtë ngjarje ta shëndërrojnë në forcë dhe lëndimin në vullnet për ta bërë Kosovën dhe PDK-në ,ë të fortë dhe më stabile.