Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj po e cilëson si rutinë vizitën e sotme të Komisionarit evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai për KosovaPress thotë se ky i fundit nuk dha asnjë premtim që mbahen mend për vendin dhe se ishte një vizitë pa substancë. Ai e kritikon atë edhe për fjalimin para të zgjedhurve të popullit.

“Mendoj që ishte një vizitë pa substancë, pa asnjë premtim që mbahet në mend. Pa një qëllim të matshëm, sidomos kur kemi parasysh se Komisionari për Zgjerim mbajti fjalim në Kuvendin e Kosovës, e aty kushdo që ka mbajtur fjalim ka mbajtur fjalim, për një punë qe e ka kryer ose premtim konkret që është në rrugë e sipër të përmbush. Kështu që ishte një vizitë rutinë pa e përmendur as liberalizimin e vizave. Sikur kjo të ishte temë e shekullit 18, e ne jemi në shekullin e 21”, thotë ai.

Hoxhaj, i cili u takua me komisionarin evropian bashkë me kryetarin Veseli, thotë se nëse BE-ja nuk lëviz deri në fund të vitit për liberalizimin e vizave, kredibiliteti i saj në raport me Kosovën do të jetë në pikëpyetje.

“Injorimi i kësaj teme, pretendimi gjoja se të shohim se çfarë do të ndodh, do t’i kushtojë në kredibilitetin BE-së. Por do t’i kushtojë edhe Kosovës, edhe raportin që qytetarët e Kosovës do të kenë me shtetin dhe BE-në, është çështje e besimit. Nëse kriteret janë përmbushur, e kjo qëndron në tekst, BE-ja duhet të jetë serioze e përgjegjshme se është një raport kontraktual kur na kanë ofruar në vitin 2012 udhërrëfyesin për liberalizim të vizave dhe kur ne kemi punuar nga 2012 deri në vitin 2018 për t’i përmbushur gjitha kriteret. Tash thjesht injorohet dhe mos të thuhet asgjë mendoj që është temë e ndejshme dhe serioze… Nëse BE-ja nuk lëviz deri në fund të vitit kredibilitetin saj në raport me Kosovën do të jetë në pikëpyetje”, u shpreh Hoxhaj.

Kritike ndaj komisionarit evropian u shpreh edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, e cila tha se BE-ja i ka hyrë në hak Kosovës.