Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj ka thënë se SHBA duhet të marrë rol udhëheqës që Kosova ta zë vendin e saj si anëtare e barabartë dhe e plotë e komunitetit ndërkombëtar.

“SHBA duhet të marrë rol udhëheqës që Kosova ta zë vendin e saj si anëtare e barabartë dhe e plotë e komunitetit ndërkombëtar me qëllim të anëtarësimit në NATO dhe perspektivës të qartë drejt BE-së”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Ndryshe, sot në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është mbajtur një seancë dëgjimore publike ku u fol për këshillat që ekspertët i japin administratës së re në krye me presidentin e zgjedhur Joe Biden.

Ngjarja u udhëhoq nga Eliot Engel, kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve dhe u fol për të gjithë Ballkanin. Në këtë dëgjim mori pjesë ish-sekretarja e Shtetit në kohën e luftës së Kosovës dhe pas përfundimit të saj, Madeleine Albright.