Policia e Kosovës ka gjobitur shoferin e veturës i cili hyri në kahjen e kundër të autostradës Prishtinë-Prizren.

“Policia e Kosovës pas publikimit të informacionit se në autostradën Prishtinë – Prizren një veturë ecë në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes dhe rrezikon edhe pjesmarrësit e tjerë në komunikacion, merr veprime dhe shqipton gjobë ndaj vozitësit të kësaj veture”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, me datë 22.06.2020, në media është shfaqur një video-incizim në të cilin shihej teksa një automjet ishte duke qarkulluar në kahjen e kundërt të drejtimit të lëvizjes në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”.

“Pas publikimit të këtij informacioni, Policia e Kosovës ka marrë menjëherë veprimet e nevojshme për identifikimin e veturës si dhe të kundërvajtësit lidhur me rastin. Pas hetimeve intensive, është identifikuar koha e lëvizjes së veturës së cekur më lartë, si dhe përmes targave të saj është gjetur dhe pronari i veturës i cili është kontaktuar përmes telefonit dhe me datë 26.06.2020 i njëjti është paraqitur në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave në kuadër të Policisë së Kosovës, i cili lidhur me rastin është intervistuar dhe të njëjtit i është shqiptuar një gjobë për kundërvajtje. Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që në çdo rast të shkeljes së rregullave të komunikacionit rrugor, dhe jo vetëm, të njoftojnë Policinë e Kosovës, në mënyrë që të mirren masat adekuate për parandalimin e rasteve të tilla, me qëllim të ofrimit të sigurisë në një nivel sa më të lartë në komunikacion dhe jo vetëm”, thuhet në njoftimin e Policisë./21Media