Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka votuar në në zgjedhjet që po mbahen këtë të diele në Shqipëri.

Eugen Cakolli i KDI-së ka deklaruar se është e papranueshme që kryeministri i Kosovës ka votuar në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.

Madje, ai ka shkruar se kur dikush në cilësinë e qytetarit të thjeshtë voton në zgjedhjet e një vendi tjetër është deri diku e pranueshme.

“Kur dikush në cilësinë e qytetarit të thjeshtë, voton në zgjedhjet e një vendi tjetër, është deri diku e pranueshme. Por, kur qytetari është dikush që mbart pozitë politike, e madje pushtet ekzekutiv, kjo s’është aspak në rregull. E kur qytetari rastis të jetë kryeministër, që përfaqëson edhe platformë politike për zgjedhjet në vendin tjetër, kjo e bën situatën të papranueshme”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

Ndryshe, 3,588,869 persona me të drejtë vote në Shqipëri sot do të kenë mundësi që të zgjedhin deputetët që do të përfaqësojnë vullnetin e tyre në katër vjetët e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë. Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.