Zlatan Ibrahimovic beson se Milani mund ta garojë me Juventusin dhe ta ndalë atë drejt ngritjes së titullit në Seria A.

Milani janë të parët në renditjen tabelare, me rekord fitoresh 100%, pas fitores mbrëmë ndaj rivalëve të tyre Interit në derbin e njohur si “Derby della Madonnina” me rezultat të ngushtë 1:2. Të dy golat për fitoren e “Rossoner-ëve” i dha veterani Ibrahimovic, ndërsa për “Nerazzur-ët” golashënuesi i vetëm ishte Romelu Lukaku.

Interi nuk mund ta rikthente lojën ose të paktën ta fitonte një pikë, gjë e cila i konvenoi Milanit, ku qëndron e para në tabelë me tre pikë më shumë se vendi i dytë Atalanta.

Ibrahimovic pas lojës dha deklaratë për “Sky Sport Italia”, ku tha që Milani mund të garojë për “Scudetton” por deri në atë pikë është rrugë e gjatë dhe duhet të fokusohen tek ndeshja e radhës.

“Ne jemi në fillim. Që kur kam ardhur këtu, ekipi është duke bërë gjëra të mira, sidomos pas rikthimit të futbollit. Ndjej shumë përgjegjësi sepse jam lojtari më i vjetër këtu. Një situatë që më pëlqen shumë, të gjithë më ndjekin mua, dhe secili është i uritur për fitore. Qëllimi është që ti rikthehemi përsëri futbollit evropian, Ligës së Kampionëve, por kam edhe qëllime të tjera personale që do i mbaj për vete. Scudetto? Në opinionin tim, sigurisht që është një mundësi e fortë, ata të cilët besojnë mund të bëjnë çdo gjë. Ne si ekip por edhe un individualisht besoj se mund ta arrijmë atë por që është një rrugë e gjatë deri në fund të stinorit dhe gjithçka mund të ndodhë,” shtoi ai.

Milani qëndron e para në tabelë me 12 pikë nga 12 të mundshmet dhe në xhiron tjetër pret skuadrën e Romës në shtëpi, e cila pas tre ndeshjeve të luajtura ka arritur të tubojë vetëm katër pikë dhe qëndron në pozitën e dhjetë në tabelë.