Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme, në Laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare me metodën RT-PCR, janë duke u testuar rreth 400 mostra të marra në SHSKUK dhe nga gjurmimi i rasteve në terren.

Rezultatet e këtyre mostrave do të publikohen gjatë ditës së nesërme.

Ditën e djeshme ndërkaq, janë testuar 424 mostra prej të cilave 187 raste kanë rezultuar pozitive, janë shëruar 103 pacientë, ndërsa me vdekje kanë përfunduar 6 persona.

Ministria e Shëndetësisë, njofton se me qëllim të informimit në një kohë sa më të përshtatshme për publikun për rezultatet e testimeve për SARS-COV-2 nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës; përkatësisht për numrin e mostrave të analizuara, numrin e atyre që rezultojnë pozitiv në Covid-19, numrin e të shëruarve, numrin e të vdekurve, numrin e rasteve aktive si dhe shpërndarjen e tyre sipas komunave, duke filluar nga dita e nesërme, 15 korrik 2020, ky informacion do të ndahet me publikun çdo ditë në ora 15:00, qoftë përmes konferencave për media, lidhjeve të drejtpërdrejta apo formave të tjera të përshtatshme për publikun.

“Po në këtë komunikim, çdo ditë do të jepen edhe të dhënat për numrin e pacientëve të shtrirë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe njësitë e tij- spitalet e përgjithshme, gjendjen shëndetësore të pacientëve si dhe karakteristika të tjera me interes rreth ecurisë klinike të Covid-19 në Kosovë. Për këtë qëllim, Ministria e Shëndetësisë do të ndaj sot me ju informatat kryesore të deritanishme në dispozicion, kurse komunikimi i rezultateve të mostrave që do të analizohen gjatë ditës së sotme do të bëhet nesër në konferencën për media, që do të organizohet për këtë qëllim”, thuhet në njoftim.