Në Indi, vendi i dytë më i populluar në botë me 1.35 miliardë banorë, vaksina e ndërmarrjes farmaceutike AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit është aprovuar për imunizim masiv të popullatës kundër koronavirusit.

Ministri i Informacionit dhe Media Prakash Javadekar konfirmoi në një konferencë për shtyp sot se institucionet kompetente vendore kanë miratuar vaksinën, e cila hapi rrugën për fillimin e vaksinimit masiv në këtë vend, i cili, pas SHBA-së, ka numrin më të lartë të rasteve me COVID-19 në botë.

Ministri Javadekar njoftoi se të paktën tri vaksina të tjera janë në proces të marrjes së një leje zyrtare për përdorim, dhe sipas planeve ekzistuese, rreth 300 milionë qytetarë duhet të vaksinohen në 6 deri në 8 muajt e parë.