Presidenti i FIFA-s kërkon shmangien e gabimeve të gjyqtarëve

Presidenti i FIFA-s kërkon shmangien e gabimeve të gjyqtarëve

Goli fantazmë që i mundësoi Panamasë të kualifikohet në fazën finale të një botërori për herë të parë në historinë e saj e ka bindur presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino për përdorimin e sistemit VAR.

Kreu i FIFA-s tashmë nuk e ka fshehur dëshirën e tij për përdorimin e këtij sistemi që në Botërorin e vitit të ardhshëm në Rusi. “Kur në lojë është kualifikimi për në Botëror dhe rezultati vendoset mbi një gabim të rëndësishëm nga gjyqtari, që mund të ndodhë sepse në fund të fundit ata janë qenie njerëzore e jo të pagabueshëm, atëherë është momenti i duhur për t’i korrigjuar ato”, ka thënë Infantino.

“Kur e gjithë bota e sheh një gabim në pak sekonda dhe i vetmi që nuk e sheh atë është gjyqtari, jo sepse nuk do por sepse nuk mundet, atëherë ne kemi mundësinë për ta korrigjuar atë dhe ndaj duhet të bëjmë një hap përpara në këtë drejtim”. “Jemi gati për implementimin VAR, nuk ka asnjë indikacion negativ në të gjitha testet që kemi zhvilluar. Çdo herë që sistemi i videos është vënë në përdorim ka dhënë rezultate pozitive, duke konfirmuar vendimin e gjyqtari, ose duke rregulluar një gabim”, ka shtuar ai.

VAR është duke u përdorur këtë vit për herë të parë në Serie A dhe Bundesligë.