IPK del me sqarim rreth intervistimit të drejtorit të Policisë së Kosovës
Inspektorati Policor i Kosovës ka dalë sot me sqarim për opinionin lidhur me intervistimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
IPK konfirmon se Samedin Mehmeti është ftuar për intervistë bazuar në mandatin ligjor të IPK-së.
Mehmeti është intervistuar nga hetuesit e IPK-së në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin ku një prej vartësve të tij është i dyshuar për veprën penale “Ushtrim ndikimi dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, thuhet në sqarim.
IPK njofton se intervistimi i tij nuk ka ndërlidhje me rastin e konfiskimit të substancës së dyshuar narkotike, të cilin rast është duke e hetuar Policia e Kosovës.
Ndryshe, Inspektorati Policor i Kosovës më 20 shtator 2021 i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me gradën e nënkolonelit policor, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi dhe zbulim i fshehtësisë zyrtare”.
Rekomandimi për suspendim është bërë në interes të procedurës hetimore përderisa hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore për këtë rast në koordinim me prokurorinë e shtetit, thuhet tutje në sqarim.