Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, bashkë me një grup të ish-burgosurve politikë në krye me Fetah Berishën sot kanë vizituar ish-burgun e Prishtinës.

Ministrja Dumoshi i ka njoftuar ish të burgosurit për planet që ka MKRS-ja në shndërrimin e ish-burgut të Prishtinës në muze për ta dokumentuar të kaluarën e rëndë që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës si pasojë e trysnisë dhe dhunës së sistemit të kryesuar nga regjimi monist i kohës e më pas.

Ministrja e informoi Berishën dhe ish të burgosurit se ka themeluar grupin punues që do ta konceptojë objektin e ish-burgut për ta shndërruar në muze. Ministrja ka thënë se do të grumbullohet i tërë dokumentacioni ekzistues dhe i mundshëm, rrëfimet e të burgosurve, të dhëna tjera materiale dhe do të realizohen brenda objektit disa ndërhyrje, për ta kthyer burgun në formën origjinale.

“Është obligim dhe detyrim i institucioneve të Kosovës që të dokumentojnë vuajtjet, përjetimet dhe tmerret që kanë kaluar gjeneratat e mëparshme për të ardhur deri sot kur ne kemi shtetin dhe institucionet tona”, ka thënë Dumoshi.

Ish i burgosuri Fetah Berisha e ka falënderuar ministren për këtë nismë dhe është shprehur se në këto ambiente ku po qëndron bashkë me shokë kanë përjetuar tmerre të paimagjinueshme.

“Prej ditës së burgosjes 22 korrik në vitin 1981, natën e parë më kanë dërguar në kufi me Shqipërinë, ku policë të asaj kohe, më kanë shkreh në dru, më pas më kanë sjellë në burgun e Prishtinës dhe më kanë mbajt 6 muaj për të zhvilluar hetimet deri sa janë kryer ato dhe gjykata e atëhershme e qarkut e Prishtinës më pati dënuar me dy vite burg”, ka rrëfyer i emocionuar ish i burgosuri rahovecas Fetah Berisha.

“Është mirë që gjeneratat që vijnë pas të dinë se çfarë ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës për të ardhur deri tek liria”, janë shprehur ish të burgosurit, të cilët edhe e e kanë falënderuar ministren Dumoshi për këtë projekt.

Ministrja dhe ish të burgosurit kanë vizituar ambientet e ish-burgut, qelitë ku kanë qëndruar të burgosurit, dhomën e hetuesisë, ku sipas rrëfimeve të ish-burgosurve asnjë i burgosur nuk ka dalur në këmbë të veta, por ishte sjellur në qeli kapur nga persona, tjerë i tërhequr zvarrë, nga tortura e nga të rrahurat.