Sipas Ismailit, për Kurtin, mjafton porosia që të mbyllemi në shtëpi

Sipas Ismailit, për Kurtin, mjafton porosia që të mbyllemi në shtëpi

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, që në mandatin e kaluar ka qenë Ministër i Shëndetësisë, ka kritikuar qeverinë në detyrë lidhur me numrin e vogël të testimeve për koronavirus.

Deputeti Ismaili ka thënë se janë bërë një muaj prej kur PDK-ja ka kërkuar testime agresive për të ndalë zinxhirin e infektimeve me COVID 19.

Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në faqen e tij në Facebook, ai thotë se qeveria Kurti është treguar e shurdhër edhe ndaj rekomandimeve të OBSH’s, për më shumë testime.

“Të gjithë liderët e suksesshëm, që po menaxhojnë vendet e tyre në këtë kohë pandemie, janë të fokusuar në hapat që minimizojnë dëmet në popullatë dhe në shtet. Kanë plan kundër pandemisë dhe plan për ekonominë. Albin Kurti dhe Qeveria e tij nuk e kanë as njërën dhe as tjetrën. Albin Kurti dhe Qeveria tij janë spektatorë dhe pandemia është betejë e qytetarëve dhe e mjekëve. Për Kurtin, mjafton të na porosisë që të mbyllemi në shtëpi dhe t’i lajmë duart, se do të kalojë”, ka ndër tjera ai.

Ismaili ka shkruar se konferencat për media, që mund ta qetësojnë publikun por nuk e ndalin virusin.

“Testimet janë politikë ekskluzive e Qeverisë. Janë përgjegjësi direkte e Kryeministrit Kurti dhe Ministrit Vitia. Nuk mund ta organizojë askush tjetër këtë. Nuk është punë e mjekëve, por është çështje që kërkon lidership politik – e që kjo Qeveri shihet qartazi se nuk e ka.Konferencat për media, sado që mund ta qetësojnë publikun, nuk e ndalin virusin“, ka shkruar Ismaili në Facebook.