Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka reaguar për aksionin e mbrëmshëm të Policisë së Kosovës në zonën kufitare të Karaçevës. Ismaili ka thënë se është shqetësuese që operacionet konfidenciale bëhen objekt i konfrontimeve të ulëta politike nga VV dhe LDK.

Po ashtu Ismaili ka thënë se Albin Kurti ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe sigurinë e policëve dhe udhëheqësve të këtij operacioni.

“Nga përplasjet në Kuvendin e Kosovës dhe nga studiot televizive, kuptuam se ish Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar të marrë masa kundër krimit të organizuar. Edhe pse u tha se gjithçka kishte qenë gati për këtë operacion, Kurti ishte bërë avokat i këtij aktiviteti – duke zgjedhur mosveprimin. Por, nuk zgjodhi heshtjen. Në një intervistë televizive, Kurti rrëfen me qetësi se kishte refuzuar dy herë planin e policisë për goditjen e krimit. Me zbulimin e këtij informacioni – se po mendohej të goditej krimi në Karaçevë, Kurti ka rrezikuar sigurinë kombëtare dhe sigurinë e policëve dhe udhëheqësve të këtij operacioni. Pra, këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi të dyfishtë: 1. Pengimin e marrjes së vendimit. 2. Zbulimin e informacionit se një operacion i tillë është duke u përgatitur“, ka shkruar ndër të tjera Ismaili në Facebook./21Media