Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, duke komentuar zhvillimet e fundit lidhur me Gjykatën Speciale, ka thënë se kjo është goditje ndaj vlerës së lirisë së Kosovës.

Ahmeti ka theksuar se kjo gjykatë do të vërtetojë pafajësinë e atyre që janë akuzuar për luftë.

“Kjo është goditje ndaj vlerës së lirisë, ndaj Kosovës dhe sidomos ndaj perspektivës së Kosovës, prandaj Gjykata Speciale e cila është votuar në Parlamentin e Kosovës, konsiderojmë që ka qenë akt i gabuar sepse është dashur një gjykatë vendore t’i kryej këto obligime nëse ka pasur pretendime për krime lufte por jo që e tëra të jetë ndaj një etnie. Po ashtu, konsiderojmë se kjo gjykatë do të vërtetoj pafajësinë e atyre që janë akuzuar sepse lufta jonë ka qenë e drejtë. Kriminelët e vërtet janë sot në Beograd janë ata që udhëheqin me Serbinë dhe kjo politikë e BE-së dhe e mekanizmave ndërkombëtar është e gabuar sepse në krye të shtetit serb janë ata që e kanë dëmtuar Kosovën, ndërsa çlirimtaret në burgun e Hagës”, ka thënë Isufi.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të mbajë një takim të jashtëzakonshëm, ku do të vlerësonte për hapat e mëtutjeshëm se si do të duhet të sillej dhe të përkraheshin përfaqësuesit e UÇK-së në Hagë.

“Duhet të gjitha institucionet e në këtë rast Qeveria e Kosovës të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm në të cilin do të vlerësonte për hapat e mëtutjeshëm se si do të duhet të sillej dhe të përkraheshin përfaqësuesit e UÇK-së që sot janë në Hagë. Po ashtu, edhe këshilli i sigurisë kombëtare të vlerësoj situatën me këtë rast sepse kemi të bëjmë me personalitete të larta të shtetit dhe partitë politike të jenë unike, institucionet të gjithë ta ndjejnë përgjithësinë për situatën që e kemi”, ka thënë ai.

Derisa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk ia ka komentuar zhvillimet e fundit në vend.