Ministria e Jashtme e Izraelit ka njoftuar edhe zyrtarisht për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën dhe për hapjen e ambasadës në Jerusalem. Në komunikatën për media të kësaj ministrie po ashtu njoftohet për zhvendosjen e ambasadës serbe në Jeruzalem.

Lajmi për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Jerusalemit, u bë i ditur më 4 shtator në Zyrën Ovale, nga presidenti amerikan, Donald Trump, pasi Kosova dhe Serbia, në prani të tij, nënshkruan një marrëveshje për normalizimin ekonomik.

Ne e shohim vendimin e Kosovës dhe Serbisë, që të vendosin ambasadat e tyre, si hap simbolik drejt promovimit të paqes në mes këtyre shteteve. Qyteti i Jeruzalemit, kryeqyteti i përjetshëm i shtetit të Izraelit, do të përbëjë një urë paqeje për tërë botën. U bëj thirrje shteteve të tjera që të ndjekin këto hapa dhe të vendosin ambasadat e tyre në Jerusalem, kryeqytetin e Izraelit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Gabi Ashkenzi.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Kosova është e vendosur që të hapë ambasadën në Jeruzalem, “të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe të thellojë marrëdhëniet dypalëshe”.

Ashkenazi po ashtu ka falënderuar presidentin amerikan, Donald Trump dhe administratën e tij për lidershipin e treguar në nivel ndërkombëtarë, por edhe për ndërmjetësimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Administrata amerikan vazhdon të udhëheqë përparime të rëndësishme diplomatike, si në marrëdhëniet tona me Serbinë dhe Kosovën, ashtu edhe në promovimin e normalizimit dhe të marrëveshjes historike të paqes ndërmjet Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Izraeli nuk ka aleate më të mirë se SHBA-në”, ka thënë ai.

Ndryshe, pas njoftimit nga presidenti Trump se Izraeli do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kosovën, kryeministri Hoti zhvilloi një bisedë të shkurtër telefonike me homologun e tij izraelit, Benjamin Netanyahu, në të cilën u dakorduan që Kosova sa më shpejt të hapë ambasadën në Jeruzalem.