Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, shpalosi sot punët të cilat janë kryer që nga koha kur ai mori postin e kreut të kësaj komune, si dhe punët të cilat janë në proces e sipër dhe pritet të përfundohen brenda këtij viti apo vitit të ardhshëm.

Gjatë dëgjimit publik lidhur me planifikimin e buxhetit komunal për 2021 dhe parashikimet për buxhetin 2022/23, kryetari Jashari ka deklaruar se këtë vit është zgjedhur problemi jetik i banorëve të 10 fshatrave, në të cilat për herë të parë është instaluar rrjeti i ujësjellësit.

“Këtë vit falë bashkëpunimit me qeverinë zvicerane ka filluar instalimi i gypit kryesor të ujësjellësit në 10 fshatra të komunës sonë si në Rezallë, Abri e Poshtme, Aqarevë, Likoc, Llaushë, Marinë, Makermal, Murgë, Plluzhinë dhe në Ticë, fshatra, të cilat vitin e ardhshëm të realizohen edhe kyçje individuale”, tha Jashari.

Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të fillojë edhe ndërtimi i dy çerdheve për fëmijë, njëra te shkolla fillore “Shaban Jashari” me financim të Komisionit Evropian dhe tjetra te shkolla teknike “Anton Çetta”, me bashkëfinancim mes komunës dhe Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Jashari shtoi tutje se situata e krijuar nga pandemia COVID-19, ka shtruar nevojën edhe më shumë që të ndihmohen familjet në nevojë, ku brenda një periudhe tre mujore janë ndihmuar 4 mijë familje nevojtare dy herë radhazi, përkrahje kjo e cila sipas Jasharit do të bëhet edhe në vazhdim.

“Edhe këtë vit sikur tri vitet e fundit bashkë me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, do të ndërtojmë shtëpi për familjet në nevojë”, tha ai.

Rëndësi të madhe sipas kryetarit Jashari i është dhënë sektorit të bujqësisë, ku për tri vjet është shumëfishuar buxheti, nga 48 mijë në vitin 2017, në 400 mijë, teksa nga ardhja e kryetarit Jashari në krye të komunës janë përkrahur me grante të ndryshme 850 fermerë.

Qytetarët e pranishëm në këtë dëgjim buxhetor kanë falënderuar kryetarin Jashari për angazhimin në realizimin e projekteve jetike dhe shpalosen kërkesat e tyre në lidhje me projektet që duhet realizuar viteve në vijim.