Për kryetarin e komunës së Skenderajt është absurde se si shteti 21 vjet pas luftës, nuk ka arritur ende të bëjë konservimin e kullave të Jasharajve. Nipi i komandantit Adem Jashari, Bekimi po thotë se këto kulla kanë mbetur nën mëshirën e fatit, meqë dita ditës priten të shemben. Kritika ka edhe për mos dokumentimin e krimeve dhe historisë së vendit, për çka tha se sot po përballet vendi me akuza te pabaza.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari në seancën solemne të Kuvendit Komunal tha se nëntori është muaji më i ndritshëm dhe më i rëndësishëm i rilindjes kombëtare. Sipas tij, festa e 28 nëntorit shënon tri data thelbësore të historisë së lavdishme. Atë të festës sëFlamurit, 108 vjetori e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e 65-të e Komandantit tonë Legjendar Adem Jashari dhe Dalja Publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jashari tha se sot kujtohet sakrifica e popullit shqiptarë, vuajtjet por në të njëjtën kohë dhe krenaria dhe sukseset e arritura gjatë historisë në formësimin dhe zhvillimin e kombit.

Baba Shaban, babushi Hamza dhe bali Adem, siç i quajti ai, tha se kishin vendosur që luftën për lirinë e Kosovës ta vazhdojnë deri në frymën e fundit. Ata me 5,6 dhe 7 mars së bashku me anëtarët e familjes dhe tërë lagjen Jasharaj luftuan kundër forcave serbe, për tri ditë rresht, deri në rënien e tyre heroike në altarin e Lirisë, për të mos vdekur kurrë.

Bekim Jashari tha se sa herë vjen nëntori nuk ka se si të mos kujtohet dalja e parë publike e UÇK-së, që ndodhi pikërisht në ditën e flamurit, me 28 nëntor.

Nipi i Ademit, Bekimi tha se Ushtria Çlirimtare bëri luftë të drejtë për mbrojtjen e tokave, për këtë sipas tij çdo përpjekje për ta njollosur atë, do të dështojë. Lufta e saj është themeli i lirisë që sot frymon në shtetin tonë demokratik. Ai pati edhe kritika për institucionet, meqë sipas tij nuk është bërë sa duhet për dokumentimin e historisë së Kosovës.

Jashari foli edhe gjendjen e kullave të Jasharajve, qe sipas tij kane mbetur nën mëshimin e kohës dhe ditës.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka bërë thirrje që të punohet më shumë, përtej dallimeve ideologjike, politike e konceptuale, në zhvillimin e vendit, fuqizimin e rendit e ligjit, arsimit, shëndetësisë e rinisë, luftimin e korrupsionit e nepotizmit, rritjen e punësimit dhe ndaljen e migrimit të të rinjve jashtë vendit.

Ai theksoi se sot patriotizëm është besimi në vlerat institucionale e demokratike, kujdesi për shtetin, për pronën publike, mjedisin, ruajtjen e vlerave tona tradicionale e historinë tonë të lavdishme.

Me këtë rast Bekim Jashari ka ndarë titullin qytetar nderi për humanistin, Halil Kastrati dhe kampionin në boks, Haxhi Krasniqi

Halil Kastrati tha se ndjehet i privilegjuar, qe në festën e flamurit dhe ditëlindjes te Adem Jasharit po nderohet si qytetar i kësaj komune. Për çka shtoi se do të jetë gjithmonë pranë familjeve në nevojë

E, kampioni i boksit, Haxhi Krasniqi tha se ky titull e bën më shumë përgjegjës, meqë sot po bëhet ushtar me doreza të boksit.

“Unë ju falënderoj shumë, sot ndjehem me shumë emocione. Janë gati sikur dua të dalë në ring. Këto emocione më prekin, dua që këtij vendi e sidomos familjes Jashari t’i sjelli më shumë suksese”, theksoi ai.

28 nëntori shënon pavarësinë e Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit e legjendarit Adem Jashari.

Sa herë vjen ky muaj, Kosova kujton edhe daljen e parë në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor ta vitit 1997, në fshatin Llaushë të Skenderajt.