Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe drejtoritë Komunale të Arsimit ende nuk kanë një vendim final për mënyrën e organizimit të vitit të ri shkollor në kohën kur vendi po vazhdon të përballet me pandeminë koronavirus.

Ata gjatë një takimi sot kanë diskutuar lidhur me opsionet për mënyrën e vazhdimit të procesit mësimor, ku një nga propozimet ishte që nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën të kthehen në shkollë, ndërsa për klasat nga e gjashta deri në të nëntën dhe për nxënësit, të vendosin komunat.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, tha me këtë rast se do të kenë edhe një takim tjetër javën e ardhshme, në të cilin do të sqarohet çdo gjë sa i përket nisjes së vitit të ri shkollor.

Ai tha se po bëhen të gjitha përgatitjet për t’iu përgjigjur tri opsioneve për fillimin e procesit mësimor, megjithatë kërkoi që vendimi përfundimtar të merret nga Qeveria e Kosovës, kërkesë e cila u përkrah edhe nga drejtorët e DKA-ve.

“Unë kisha propozuar që vendimin përfundimtar ta marrë përmes Qeverisë së Kosovës, do të thotë me master-plan, me propozime konkrete, të cilat do të dërgohen në qeveri dhe qeveria të marrë këtë vendim, ndërsa ne kemi për obligim ta zbatojmë këtë vendim”, tha ai.

Ministri Likaj tha se janë duke punuar që t’i përfshijë edhe rreth 1 mijë mësimdhënës ndihmës, të cilët do t’i ndihmojnë arsimtarët që kanë probleme shëndetësore.

Në këtë takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Tahiri, i cili tha se Qeveria duhet të marrë një vendim i cili do të jetë ekzekutiv dhe për të gjithë sektorin e arsimit.

“Si Qeveri ne duhet të marrim një vendim, vendim i cili do të jetë ekzekutiv dhe do të jetë për të gjithë sektorin e arsimit. Po ashtu, e dini se duhet të miratohet një master-plan me tri opsione që pak a shumë janë diskutuar dhe në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike jemi duke punuar që në mënyrë eksplicite të vendosen parametrat për mbështetje financiare të këtij sektori…Do të përpilojmë një stimulim financiar, i cili do të mundësojë zbatimin e këtij procesi. Po ashtu, do të bëjmë një vlerësim se si dhe në ç‘masë është shpenzuar buxheti, në mënyrë që një pjesë e tepricës së buxhetit të mund të shfrytëzohet dhe të shpenzohet për arsimin primat që ju e udhëhiqni”, tha ai.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi, tha se në një takim që ka zhvilluar me kryetarët e Komunave dhe drejtorët e Arsimit kanë kërkuar një vendimmarrje më të shpejtë se si do të zhvillohet procesi mësimor.

“Kryetarët kanë shfaqur gatishmëri që procesi mësimor 2020/2021 të fillojë me kohë, gjithashtu i kanë përkrahur modulet të cilat janë prezantuar nga ministri Likaj, por kanë kërkuar një vendimmarrje më të shpejtë, sepse koha është duke u ofruar dhe të gjitha proceset rreth fillimit të vitit të ri shkollor ndërlidhen edhe me financa. Në përgjithësi, mund të themi që edhe në bashkëbisedim me kolegjiumin e drejtorëve të Arsimit, por edhe me kryetarët e komunave, komunat janë të gatshme për fillimin e procesit mësimor dhe që besojmë që gjatë ditës së sotme do të kemi një plan të veprimit, të cilit duhet t’i shtohet edhe buxheti për modulet, të cilat mund të zbatohen në nivelin lokal”, tha ai.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, tha se do të mbështesin çdo angazhim për fillimin e vitit të ri shkollor, por paralajmëroi ndërprerje të procesit mësimor nëse në shkolla nuk do të ketë kushte higjienike dhe masa mbrojtëse për mësimdhënësit.

“Ne jemi për cilindo version që përmendet edhe pse sot mësimdhënësit janë më shumë të thirrur dhe të prirë që të kthehemi në shkolla, qoftë së paku me këtë versionin e kthimit të pjesshëm. Por, SBASHK-u ka qenë kundër se me rishikimin e buxhetit pikërisht MASH të ndëshkohet me shkurtim buxheti, kur ky vit i ri shkollor kërkon mjete më shumë sesa që ishin paraparë me buxhetin paraprak. SBASHK-u e thotë publikisht dhe të mos hidhërohet askush, protokollet që nënshkruhen ne do t’i përcjellim përmes kryetarëve në shkolla dhe në momentin e parë që vërejmë se protokollet nuk po respektohen, se nuk po mbahet higjiena, se nuk ka mjete dezinfektuese, nuk ka mjete mbrojtëse për mësimdhënësit dhe nxënësit ne do ta thërrasim Këshillin drejtues, dhe do të bëjmë apel që mësimi i tillë do të ndërpritet”, tha ai.

Jashari tha se SBASHK-u nuk do të lejojë që mësimdhënësve t’iu shtohen normat, për çka tha se çdo lëvizje me normat nuk do ta pranojnë dhe do ta kundërshtojnë.

Ai po ashtu, ka kërkuar që sipas mundësive të testohen mësimdhënësit para fillimit të procesit mësimor.

Kthimin në objektet shkollore e kanë kërkuar edhe nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.

Përfaqësuesi nga ky Këshill Burim Bruqaj, tha se si prindër e mbështesim kthimin e nxënësve në shkolla pasi mësimi online nuk ka qenë i suksesshëm.

“Të mbahet mësimi në shkolla, sepse e kemi pa që mësimin online nuk ka rezultuar i suksesshëm, qoftë me mungesë të teknologjisë informative që ka pasur nxënës që nuk ka pasur mundësinë të marrë pjesë në mësimin online, qoftë edhe të mësimdhënësve që ka prej tyre që nuk kanë qenë aktiv apo pjesërisht aktiv. Ne shpresojmë që fëmijët do të kthehen në shkolla, sidomos nëse nuk ka mundësi nivelet tjera, së paku prej klasës 1 deri në 5, të cilët domosdo duhet të jenë pranë bankave shkollore, kuptohet me shkolla të pastra, të dezinfektuara, me maska dorëza, distancë sociale”, tha ai.

Edhe drejtorët komunalë të Arsimit e kanë përkrahur idenë për kthimin e nxënësve në shkolla, qoftë përmes skenarit A, që parasheh kthimin në shkolla me masa parandaluese, apo skenarin B që nënkupton rikthimin e pjesshëm.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për organizimin e testit të maturës. Ministri Likaj tha se kanë bërë të gjitha përgatitjet, në mënyrë që ky test të mbahet ashtu sikurse është paraparë për datën 29 gusht.

“Besoj që i kemi bërë të gjitha përgatitjet me e mbajt me datën 29 gusht”, tha ai.