Jeff Hoviner merr detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, sot do të marrë zyrtarisht detyrën e tij.
I Ngarkuari i deritanishëm me Punë në Ambasadën amerikane, Nicholas J. Giacobbe bëri të ditur se ceremonia e zyrtarizimit të tij do të bëhet ditën e sotme.
Jeff Hovenier, i cili ka luajtur një rol në negociatat që përfundimisht çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, është emëruar në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe është konfirmuar unanimisht nga Senati i SHBA-së, më 18 nëntor.
Ai ka kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij në Bellingham dhe shumë nga anëtarët e familjes së tij ende jetojnë në Whatcom County. Hovenier ishte transferuar në Bellingham kur ishte në kopsht fëmijësh, pasi babai i tij kishte marrë një punë si profesor në Universitetin e Washingtonit Perëndimor.
Hovenier ka ndjekur mësimet në shkollë publike në Bellingham, ku edhe ka diplomuar në shkollën e mesme në 1983. Ai është diplomuar në bachelor në Universitetin Brigham Young dhe pastaj ka përfunduar edhe studimet master në Universitetin e Georgetown përpara se të fillonte karrierën e tij prej më shumë se tre dekadash si diplomat. Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi. Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier ka shërbyer si zëvendës shef i misionit në Ambasadën e SHBA-së në Ankara. Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.
Ai flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht dhe ka marrë çmime të shumta, duke përfshirë disa nga Qeveria e Kosovës. Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e kishte dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Kjo është hera e parë që Hovenier shërben si ambasador i SHBA-së.