Dhëndri i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan ka dhënë sot dorëheqje nga posti i ministrit të Financave, duke përmendur arsye shëndetësore, raporton AFP.

“Pasi isha në poste ministrore për gati pesë vjet, mora vendimin për të mos vazhduar shërbimin tim (si ministër i Financave) për shkak të problemeve shëndetësore”, deklaroi Berat Albayrak në një mesazh në Instagram.

Albayrak (42) ka qenë ministër i Financave që nga korriku 2018, dhe më parë ai ishte ministër i Energjisë për tri vjet.

Dorëheqja e tij pasoi largimin e guvernatorit të Bankës Qendrore Turke Murat Uysal, i cili u zëvendësua nga ish-ministri i Financave Naji Agbal.

Analistët vënë në dyshim arsyen e dorëheqjes së Albayrak. Disa përmendin se ish-ministri tani kishte marrëdhënie të mira me Jared Kushner, një këshilltar i presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Sipas tyre, këto marrëdhënie nuk janë më të rëndësishme për Erdogan pasi Trump humbi zgjedhjet presidenciale.

Albayrak është i martuar me vajzën e Erdogan-it, Esra dhe kanë katër fëmijë.