Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka treguar se pse nuk e votoi Qeverinë Hoti.

Kadaj-Bujupi ka thënë se Kryeministri Avdullah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të saja politike.

“Ai ishte i pari dhe më i zëshmi që insistonte në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehem rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime. Ky dialog ka shumë paqartësi dhe shumë udhëkryqe. Prandaj kërkon një udhëheqje të qëndrueshme dhe parimore”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Tutje Kadaj-Bujupi ka thënë se është anashkaluar një grua e cila u votua për kryeministre dhe u caktua një kandidat tjetër në tavolinë.

“Jam e vetëdijshme që në zgjedhje nuk votohet për kryeministër. Pra jo domosdoshmërisht kandidati/ja që ka fituar më shumë vota duhet të jetë domosdoshmërisht kryeministër. Por nuk mund të themi se vota e qytetarëve nuk është fare e rëndësishme. Në këtë rast është anashkaluar nje grua e cila u votua për kryeministre dhe u caktua një kandidat tjetër në tavolinë. Prandaj edhe nuk votova për Hotin kryeministër”, ka shkruar Kadaj-Bujupi në Facebook.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është votuar Qeveria Hoti. Formimi i Qeverisë u votua me 61 vota për, ndërsa 24 kundër dhe një abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra./21Media