Mëngjesin e sotëm forca të shumta policore të EULEX bastisën shtëpinë e Jakup Krasniqit në Prishtinë. Bastisje kjo që ngriti reagime të shumta.

Së fundmi ka reaguar edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

Pamjet e sotme të bastisjes sipas Kadrijaj kanë qenë të neveritshme dhe të panevojshme, duke theksuar se ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjithnjë i janë përgjigjur vullnetarisht drejtësisë sa herë që ka qenë nevoja.

“Pamjet e sotme të bastisjes nga forcat e Eulex-it, në shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, janë po aq sa të panevojshme por edhe të neveritshme. Skena të tilla, janë pakuptimta, kur dihet se ushtaret e UÇK-së iu kanë përgjigjur drejtësisë vullnetarisht, sa herë që ka pasur nevojë”, ka shkruar Kadrijaj.

Tutje ajo thotë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe se besojnë fuqishëm në pafajësinë e luftëtarëve të lirisë.

“Lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë e pastër dhe besojmë fuqishëm në pafajësinë e luftëtarëve të lirisë. Jemi me Jakup Krasniqin dhe me gjithë ushtarët e UÇK-së!”, përfundon shkrimi i saj në ‘Facebook’.