Komuna e Kamenicës për herë të parë ka fituar grant për performancë komunale. Nga vlerësimi i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Norvegjisë e Suedisë, komuna e Kamenicës ka përfituar grantin në vlerë 285.389 euro.

Kreu i komunës Qëndron Kastrati tha se është tejet i lumtur që Kamenica është shpërblyer me performancë të mirë për vitin 2019.

“Për shkak të qeverisjes së mirë dhe efektive në 2019, Kamenica për herë të parë fiton grant prej rreth 286 mijë eurosh. Tejet i lumtur që Kamenica është shpërblyer me performancë të mirë për vitin 2019, duke fituar grant prej rreth 286 mijë eurosh. Grant ky i fituar për herë të parë pas kaq shumë vitesh”, tha ai.

Sipas Kastratit, buxheti i komunës për investime kapitale ishte 125 mijë euro, por falë angazhimit të secilit zyrtarë ky grant i është dhënë Kamenicës.

“Duke marrë parasysh buxhetin e komunës për investime kapitale sa ishte prej 125 mijë euro gjithsej, angazhimi i secilit kolegë nga të gjitha fushat komunale ka bërë që ky grant t’i shkojë Kamenicës. Për këtë, sot kam falënderuar secilin veç e veç për angazhimin profesional në procesin e Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale”, shtoi ai.

Ndër të tjera, Kastrati falënderoi për vlerësimin Ministrinë e Pushtetit Lokal, Zyrën Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Suedinë e Norvegjinë, ndërkaq, informoi se mjetet e fituara nga granti do të përkthehen për investime kapitale.