Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati sot ka sqaruar prerjen e pishave në Karaçevë të Epërme.

I pari i Kamenicës ka deklaruar se prona në fjalë më herët ka qenë nën menaxhim të AKP-së, ndërkaq tani është privatizuar nga një qytetar i po këtij fshat, dhe se sipas tij nuk është pronë komunale.

“Pas kaplimit të zjarrit në këtë hapësirë në vitin 2019, pronari ka kërkuar leje nga Agjencioni Pyjor i Kosovës, për prerjen fitosanitare të këtyre pishave, në mënyrë që të shmanget dëmtimi i trupave të tjerë. Pas vlerësimit në terren APK-ja ka rekomanduar se këta drunj duhet të prehen, dhe më pas të krijohet një koridor kundër përhapjes së zjarrit.

Shënjimin e pikave se ku duhet të hapet ky koridor, janë vendosur nga inxhinierët pyjor të dërguar për vlerësim nga APK – Drejtoria Koordinuese Rajonale në Gjilan. Sipas tyre, është obligim ligjor që secila hapësirë pyjore të ketë një koridor ndarës për parandalim të shpërndarjes, në rast kaplimi nga zjarri.”, ka shkruar në facebook Kastrati.

Ai ka shtuar se kanë ndaluar prerjen e pyjeve dhe se do të kërkojnë hetim më të detajuar nga policia.

“Ne si komunë, kemi ndalur punën e prerjes, deri sa Drejtoria e Pylltarisë dhe Inspektorët nga Agjencioni Pyjor i Kosovës, kanë dalur në vend të ngjarjes për të parë nëse pronari ka respektuar hapësirën e përcaktuar nga APK për prerjen e tyre! Gjithashtu, ne do të kërkojmë hetim më të detajuar nga Policia, për të parë nëse zjarri i shkaktuar në vitin 2019 ka qenë i qëllimshëm ose jo.”, ka shtuar tutje Kastrati.