Kryesuesi i Bordit të Përkohshëm, Hysen Fazliu dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut Luigj Imeri kanë vizituar Korporatën Energjetike Shqiptare, ku janë pritur nga administratori i KESH Benet Beci.

Në këtë takim është diskutuar për sektorin energjetik e me theks të veçantë për prodhimin e energjisë elektrike si produkt esencial për qytetarët e të dyja vendeve.

Të dy palët u dakorduan se pas vënies në punë të linjës së interkonjeksionit 400 kV, janë krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e energjisë elektrike nga KEK te KESH dhe anasjelltas.

Zyrtarët e lartë të KEK dhe KESH janë zotuar se do thellojnë bashkëpunimin në sektorin energjetikë me interes të ndërsjellë, thuhet në komunikatë.