Grupi i Artistëve, Hulumtuesve dhe Kuratorëve të Pavarur në Kosovë, ka kërkuar të ketë transparencë të plotë nga Ministria e Kulturës dhe urgjentisht të ndahet fondit i premtuar emergjent për kulturë, rini dhe sport.

Artisti Nol Sahatçiu në një konferencë për media, tha se që nga fillimi i pandemisë e deri më sot skena e artit është bllokuar tërësisht, kurse institucionet e Kosovës kanë deklaruar se kanë alokuar 5 milionë euro që pastaj nuk janë miratuar dhe nuk janë ndarë.

“Kuvendi i Kosovës ka treguar papapërgjegjësi duke refuzuar me paramendim urgjencën për ratifikimin e pakos emergjente. Pushteti është i drejtuesve të institucioneve por institucionet nuk janë pronë e drejtuesve të tyre. Zonja Durmoshi dhe zotëri Bislimi, secili për vete, duhet të japin përgjigje pse është vonuar dhe sabotuar fondi emergjent për kulturë. Politizimi i parasë publike është keqpërdorim i parasë publike”, tha ai.

Sipas tij, institucionet ekzistojnë për t’iu shërbyer taksapaguesve që janë burimi i ekzistencës së këtyre institucioneve.

“Kur për hesape pushteti dhe mospajtime ideologjike shërbimet bllokohen për qytetarët, ndodhë pengmarrja e institucioneve. Kjo në vetvete nënkupton abuzim të pozitës zyrtare. Dëmet që janë shkaktuar nga këto kalkulime janë shumë të mëdha për t’u injoruar. Kërkojmë transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse dhe ndarjen urgjente të këtij fondi emergjent për artë dhe kulturë”, tha ai.

Kurse, hulumtuesja Donjetë Murati sqaroi se kanë pas takime me ministren e Kulturës, ku edhe iu kanë treguar për problemet që kanë pas për implementimin e pakos emergjente.

Njëra ndër këto probleme, sipas saj, iu është thënë se është mosmiratimi i fondit emergjente në Kuvend, por gjithashtu iu është thënë se do të tentojnë që brenda ministrisë të bëjnë një fond në vlerë një milion, gjë për të cilën nuk kanë marrë përgjigje.

“Hapat e ardhshëm duhet ta shohim edhe me krejt grupin se si do të vazhdojmë nëse nuk marrim ndonjë përgjigje prej institucioneve me paranë publike…..skena e pavarur kulturore nuk ka qenë prioritet i ndonjë qeverie edhe para pandemisë dhe ka pas probleme strukturore, asnjëherë nuk është trajtuar me ndonjë mbështetje nga institucionet, mirëpo në këtë rast është përkeqësuar gjendja dhe është bllokuar tërësisht për shkak se nuk kanë mbërri të funksionojnë institucionet e kulturës për shkak të pandemisë, prandaj nuk kanë mbërri artistët me siguruar ndonjë kompensim për punën që e bëjnë”, tha ajo.