Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë ka kërkuar sigurimin e shërbimeve esenciale për fëmijët me aftësi të kufizuar gjatë kohës së pandemisë me Covid-19.

KOMF ka thënë se gjendja e fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe prindërve të tyre është rënduar edhe më shumë gjatë kësaj kohe të përballjes me koronavirusin dhe ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, i Arsimit dhe kryetarët e komunave të Kosovës të marrin parasysh nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuar duke krijuar pako ekonomike për mbështetjen e tyre.

KOMF ka kërkuar qasje në informacionet dhe udhëzimet e komunikuara rreth shëndetit publik, për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Mesazhet e transmetuara për shëndetin publik duhet të jenë gjithëpërfshirëse, duke mos diskriminuar apo stigmatizuar askënd. Gjithashtu, këto udhëzime duhet të jenë në përputhje me legjislacionin ekzistues në raste katastrofash natyrore ose në raste emergjente. Informacionet dhe udhëzimet duhet të kenë një gjuhë të qartë për t’u lexuar dhe kuptuar”, thuhet në reagim.

KOMF ka thënë se duhet eliminuar çdo pengesë financiare lidhur me qasjen në kujdesin shëndetësor për fëmijët me aftësi të kufizuar.

“KOMF kërkon nga institucionet përgjegjëse që të krijojnë një pako ekonomike për mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara, e cila mund të përmbajë pagesa të shumave për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndihmë për shpenzimet specifike dhe zgjatjen automatike të çdo ndihme të marrë edhe nëse dokumentacionit të nevojshëm i ka skaduar afati. Shërbimet dhe pajisjet e domosdoshme në karantinë duhet të jenë plotësisht të qasshme për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet tutje në reagim.

Në reagim thuhet se institucionet duhet të vendosin mekanizma për të autorizuar personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të dalin gjatë karantinimit të detyrueshëm, për periudha të shkurtra dhe në mënyrë të sigurt, kur përballen me vështirësi gjatë mbylljes dhe qëndrimit në shtëpi.

Gjithashtu kërkohet të bëhet sigurimi i qasjes në internet duke i liruar nga pagesa, dhe sigurimi i pajisjeve elektronike për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.