Anëtarët e Grupit për Siguri dhe Barazi Gjinore, kërkojnë që të sigurohet pjesëmarrje kuptimplotë e grave në delegacionin e Prishtinës, që merr pjesë në dialogun Prishtinë-Beograd për normalizim të marrëdhënieve, si dhe në grupet punuese të krijuara për të informuar dialogun.

Ky grup nëpërmejt një komunikate, thotë se që nga miratimi i Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325, komuniteti ndërkombëtar ka punuar në ngritjen e ndërgjegjësimit për mungesën e përfaqësimit të grave në përpjekjet globale për sigurim të paqes, duke u zotuar dhe duke u bërë thirrje të tjerëve për përfshirjen e grave në arritjen e paqes.

Mungesa e përfaqësimit të grave është edhe arsyeja pse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka prioritizuar pjesëmarrjen e plotë dhe të barabartë të grave në proceset e paqes në Rezolutën 1325 (2000) si dhe në rezolutat pasuese.

Fatkeqësisht, këto thirrje nuk kanë marrë përgjigje të pritura nga qeveritë, siç edhe është rasti me dialogun Prishtinë-Beograd për normalizimin e marrëdhënieve i cili deri më tani ka mbetur një proces i “verbër” ndaj barazisë gjinore. Ligji për Barazi Gjinore (Nr. 05/L-020) bënë thirrje për përfshirjen e barabartë të grave dhe burrave në pozitat vendimmarrëse në nivele ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Gjithashtu, pjesëmarrja e grave në proceset e negocimit, paqes dhe pajtimit është në mesin e objektivave kryesore të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024. Institucionet e Kosovës duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre të deritanishme për mbajtjen e përgjegjësive të tyre në zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore, pasi që gratë kanë qenë të nën-përfaqësuara në pozitat e larta politike, por edhe në negociata dhe në dialogun me Beogradin, përfshirë edhe në cilësinë e ekspertëve teknik, si dhe në konsultimet publike në lidhje me përmbajtjen e negociatave dhe dialogut. Gratë në Kosovë nuk janë spektatore pasive apo vetëm viktima apo shënjestra“, thuhet në komunikatë.

Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) është grup i shumë akterëve, i cili kryesohet nga UN Women.

Palët nënshkruese në vijim janë anëtare të SGG dhe e përkrahin këtë deklaratë publike siç është organizatat për gratë Rrjeti i Grave të Kosovës (151 organizata), Women 4 Women – Kosovë, Kvinna till Kvinna, Fondacioni Jahjaga, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), OJQ Zensko Pravo, si dhe Ambasada e Finlandës, Ambasada e Suedisë, Ambasada e Francës në Kosovë, Ambasada e Britanisë, UN Development Coordinator (UNDCO), UN Women, UNFPA, UNHCR, UNMIK- Misioni i OKB-së në Kosovë, EULEX, Zyra e BE-së në Kosovë/PSBE, IOM, UNDP, UN-Habitat.