Gjatë ditës së djeshme është raportuar se ministri i dikurshëm në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rikallo, është emëruar me vendim të Republikës së Serbisë, ndihmës i drejtorit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

I njëjti është edhe anëtar i KQZ-së nga Lista Serbe.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka kërkuar që të shkarkohet nga Lista Serbe, Nenad Rikallo e po ashtu të bëhet zëvendësimi i tij në KQZ.

“Është thënë se Nenad Rikallo mban pozitë në Republikën e Serbisë. Duhet të pyesim a është i njëjti person? Është vendos në ushtrues të detyrës të ndihmësit të drejtorit në zyrën për Kosovë. Vendimi ekzekutiv i Republikës në Serbi për të mohuar shtetësinë, kjo zyre e mohon qenien e KQZ-së. Unë propozoj që zotit Rikallo t’i kërkohet edhe nëse këto qëndron kështu dhe të shkarkohet ai nga Lista Serbe dhe të zëvendësohet një anëtar i KQZ-së”, tha ai.

Për këtë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se do e njoftojë zyrën e presidencës, që të njëjtit të ndërmarrin veprime konform ligjit dhe kushtetutës.

“E mundemi me njoftu presidencën që konform kompetencave që pastaj e kanë për obligim ligjor që të ndërmarrim veprimet”, ka shtuar ajo.