Kuvendi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ia ka dhënë dritën e gjelbër fillimit të implementimit të Planit Strategjik të FBK-së për periudhën 2021 – 2025 me një votim unanim nga 30 delegatët e pranishëm.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu me këtë rast ka thënë se gjatë hartimit të këtij plani ka bashkëpunuar me të gjitha grupet e interesit dhe FIBA-në gjatë periudhës tetë mujore.

“Federata e Basketbollit të Kosovës gjatë hartimit të Planit Strategjik ka bashkëpunuar me të gjitha grupet e saj të interesit, derisa me Grupin e përbashkët të Punës që e kemi pasur me FIBA-n, ne kemi punuar për një periudhë 8 mujore në hartimin e këtij plani”, ka thënë ai.

“Ky është Plani Strategjik i pari për FBK-në që nga paslufta, andaj ne premtojmë se së bashku me anëtarët tanë dhe me të gjitha grupet tona të interesit do të punojmë në implementimin e tij”, ka shtuar Fetahu.

Këto janë pesë qëllimet e Federatës së Basketbollit të Kosovës me të cilat synon të arrijë të realizojë planin e saj strategjik:

1. Perfomanca e lartë (plani teknik, zhvillimi i lojtarëve dhe trajnerëve, zhvillimi i garave).

2. Rritja e të ardhurave dhe stabiliteti financiar.

3. Basketbolli për të gjithë (rritje 100% e pjesëmarrjes përmes komunitetit, klubeve dhe shkollave).

4. Femrat në basketboll.

5. Fuqizimi i klubeve tona.

Secili qëllim i ka objektivat dhe nën-objektivat e veta, si dhe planet e veprimit me të cilat do të realizojë implementimin e këtij Plani Strategjik për periudhën 2021-2025.