KFOR-i dhe Policia e Kosovës kanë vendosur të realizojnë patrullime të përbashkëta, pas ngjarjeve të fundit ku xhandarmëria serbe ka hyrë disa herë në Karaçevë të Kamenicës,

Këtë lajm e ka bërë të ditur KFOR-i përmes një komunikatë për media. Komanda Rajonale e KFOR-it Lindje, siç është theksuar në komunikatë, sot ka filluar për të planifikuar me Policinë Kufitare veprimtaritë operacionale të përbashkëta në zonën e Kamenicës.

“Seanca e planifikimit të sotëm pasoi samitin teknik të nivelit të lartë të mbajtur dje në Selinë e Policisë së Kosovës midis Shefit të Operacioneve të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO dhe Drejtorit të Policisë së Kosovës, së bashku me zyrtarë të tjerë. Në atë rast të dy palët shprehën kënaqësi të ndërsjellë për nivelin e bashkëpunimit të zhvilluar deri më tani në fushën e sigurisë dhe u angazhuan për forcimin e mëtejshëm të tij, përmes një mekanizmi të përmirësuar javor që do të lejojë një rritje të patrullave të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në zonë të Kamenicës.”, ka bërë të ditur KFOR-i përmes komunikatës.