Qendrat e mjekësisë familjare në Kaçanik dhe Hanin e Elezit pranuan nga kontingjenti ushtarak italian i KFOR-it pajisje mjekësore, përfshirë elektro-kardiografe digjitale, defibrilatorë dhe makina të oksigjenit.

Nisma u financua nga Ministria e Mbrojtjes e Italisë me synim të rritjes së aftësive të dy qendrave mjekësore që ofrojnë kujdes shëndetësor për 45.000 persona në ato dy komuna. Javën e kaluar ushtarët italianë të KFOR-it rehabilituan gjeneratorin e oksigjenit mjekësor në spitalin e Prizrenit.

KFOR-i dhe kombet që kontribuojnë me trupa po zbatojnë një numër të projekteve të asistencës në fushën e shëndetësisë, veçanërisht në përkrahje të reagimit lokal ndaj COVID-19, nga të cilat përfitojnë të gjitha komunitetet në Kosovë.

Që nga shpërthimi i epidemisë, KFOR-i ka siguruar pajisje mbrojtëse personale për institucionet shëndetësore në Kosovë, ndërsa ka lehtësuar shpërndarjen e ndihmës nga shtetet aleate dhe partnere, duke përfshirë Gjermaninë, Italinë, Poloninë, Turqinë dhe Austrinë.