Jurgen Klopp pranon që lojtarët e Liverpoolit nuk e meritojnë të luajnë në Ligën e Kampionëve pas barazimit 1-1 me Newcastle United të shtunën.

Mohamed Salah i dha Liverpoolit epërsinë e hershme në “Anfield Road” por kampionët e Premierligës dështuan ta thellojnë epërsinë e tyre pasi humbën disa raste të mira.

Por skuadra e Steve Bruce rrëmbeu një pikë me golin realizuar nga Willock në minutën e 95\ të ndeshjes.

Barazimi e ka lënë Liverpoolin një pikë prapa Chelseat në vendin e katërt, që përballet me West Hamin. Por Klopp pranon që skuadra e tij nuk po luan aq mirë sa të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve të sezonit të ardhshëm.

“Nuk pashë sot që ne meritojmë të luajmë Ligën e Kampionëve vitin e ardhshëm. Kemi edhe pesë ndeshje të tjera, do të shohim se çfarë mund të bëjmë deri atëherë, kemi disa ditë derisa të luajmë me Man United, kështu që do të jetë edhe një mision i vështirë.”, tha Klopp pas ndeshjes për “BT Sport”.

Një luftë shumë e ashpër është duke u zhvilluar në Premierligë ndërmjet skuadrave që po kërkojnë të jenë në katër vendet e para që sigurojnë Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Aty janë Leicester City, Chelsea, West Ham United, Liverpooli, Tottenhami dhe Evertoni.