Numri i madh i turistëve nga Kosova që këtë vit vendosën të kalojnë pushimet e tyre verore në Shqipëri pavarësisht pandemisë me koronavirus, ka shtyrë ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë Blendi Klosi të qëndrojë për një vizitë në vendin tonë për të shprehur falënderimet e sinqerta për vëllezërit kosovarë.

Ai gjatë ceremonisë “Pusho shqip”, ka thënë se edhe këtë vit vizitorët nga Kosova ishin të pranishëm gjatë gjithë sezonit veror në plazhet e bukura të Shqipërisë, derisa ka falënderuar Kosovën dhe qytetarët e saj për bashkëpunim në fushën e turizmit në mes dy vendeve vëllazërore.

“Edhe pse ky vit ishte shumë i vështirë për turizëm, fluksi i vizitorëve nga çdo qytet i Kosovës, ishin të pranishëm gjatë gjithë sezonit të verës në vendin tonë”, ka thënë Klosi.

Ai ka falënderuar qytetarët e Kosovës që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacion për të kaluar pushimet verore.

“Unë do të doja që në këtë moment të rëndësishëm përsëri, në emër të kryetarëve të bashkive që më kanë shoqëruar, e që janë shumë kryetarë bashki, mbase si asnjëherë tjetër, t’ju thosha një fjalë që mbase në shqip shkon me mirë se në çdo gjuhë tjetër: Ju faleminderit. Nderi jonë, është miqësia jonë”, ka thënë Klosi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se kosovarët në përgjithësi u treguan patriotë, që në ditë të vështira iu dolën në krah vëllezërve nga Shqipëria.

“Vlera jonë kombëtare është pasuria natyrore që na ka fal Zoti, që e pamë detin dhe bjeshkët tona që i kemi në Shqipëri dhe Kosovë, e që iu kemi kënduar gjatë në historinë tonë. Megjithatë, ajo që u vërtetu në këtë kohë pandemie. Pasuria më e madhe është njeriu, është shqiptari patriot, i cili në ditë të vështira, në një kohë shumë të vështirë, arriti dhe ishte pranë vëllezërve të vetë gjithë andej Shqipërisë”, tha Tahiri.

Një fjalë rasti në këtë ceremoni mbajti edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, i cili tha se Shqipëria dhe Kosova po punojnë intenzivisht për të larguar barrierat mes dy vendeve.

“Shpeshherë flitet për bashkimin kombëtar, unë them se bashkimi kombëtar ka ndodhur me përfundimin e luftës çlirimtare në vitin 1999, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e mbështetur nga vëllezërit tanë, andej bjeshkës dhe këndej bjeshkës, andaj për të vazhduar ato barriera të cilat na u vendosën padrejtësisht nga armiqtë tanë, sigurisht që ne, dy qeveritë, tash e 6 vjet janë duke punuar intensivisht, me marrëveshje të të ndryshme për t’i larguar të gjithë ato barriera që kemi andej dhe këndej bjeshkës”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, ceremonia e sotme u organizua nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Shqipërisë, Blendi Klosi dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve në fushën e turizmit.