Trajneri i Barcelonës Ronald Koeman ka kërkuar nga sulmuesi Ousmane Dembele që të marr vendimin mbi të ardhmen e tij pas zërave se ai po kërkohet me ngulm nga Manchester United.

“Djajtë e Kuq” kanë shprehur interesim për sulmuesin francez pasi dështuan të arrijnë marrëveshje me Borussia Dortmundin për transferimin e Jadon Sanchos.

“Nuk mund të them shumë rreth kësaj çështje. Unë gjithmonë provoj të nxjerrë maksimumin nga skuadra dhe pastaj nëse vjen ndonjë ndryshim, kjo ndodh për një arsye.”, deklaroi Koeman para gazetarëve.

“Unë nuk kam folur me të rreth së ardhmes. Gjithçka varet nga lojtari. Ne kemi shumë kualitet në sulm. Aty janë Dembele, Griezman, Ansu Fati, Konrad de la Fuente. Për momentin Fati është para Dembeles. Kjo është situata, prandaj nëse Ousmane nuk është i lumtur, duhet të më thotë mua. Dua që secili që është këtu të jetë i lumtur.”, përfundoi Koeman.