Komisioni parlamentar për Ekonomi ka shqyrtuar propozim-vendimin e Qeverisë për zgjedhjen e bordit të ARKEP-it, por nuk pati vendimmarrje për votim.

Kryetari i Komisionit, Endrit Shala ka thënë se Qeveria ka propozuar emrat për bordin e ri të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP).

Për një mandat 5 vjeçar, në bordin e ARKEP janë propozuar Bahri Anadolli kryesues, Hazir Hajdari anëtar, Mark Buzhala anëtar, Iliriana Berisha anëtare dhe Faruk Rexha anëtar.

Për këta emra pati kritika të deputetëve të opozitës.

Deputetja Mimoza Kusari Lila ka thënë se nuk e përkrahin këtë listë me emrat e kandidatëve.

“Ka hapësirë që institucioni më i rëndësishëm ARKEP të ketë njerëz profesionist dhe jo nga politika. Prej 5 kandidatëve një prej tyre nga gjinia femërore, është gruaja e një ish-ministrit. Për këtë jemi kundër. Qeveria nuk ka shpallur konkurs, janë të përzgjedhurit e qeverisë”, ka thënë Lila.

Ndërsa, deputeti Pal Lekaj ka thënë se të gjithë kandidatët i përmbushin kriteret.

“Tash pse është një grua e një ish-ministrit, nuk mund të vdes urie kjo kandidate. Megjithatë, nuk është anëtare e AAK-së”, ka thënë ai.

Edhe deputeti Hekuran Murati ka thënë se pa konkurs ka propozuar qeveria anëtarët për Bord të ARKEP-it.

Për votimin e këtij raporti nuk pati vendimmarrje dhe është shtyrë për mbledhjen e radhës.

Ndërsa, nga data 5 dhjetor ARKP ka mbetur pa bord.