Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka marrë vendim në mbledhjen e sotme që të ftohet në raportim Avokati i Popullit, Naim Qelaj, lidhur me përzgjedhjen e 5 zëvendësve të tij pasi kanë marrë 4 ankesa lidhur me këtë proces.

Anëtarët e komisionit u dakorduan që në fund të kësaj jave të raportojë para komisionit Avokati i Popullit dhe të kërkohet një opinion ligjor nga Kuvendi për disa nga ankesat, e më pas sipas nevojës në raportim të ftohen edhe personat të cilët janë ankuar.

Kryetarja e Komisionit, Duda Balje, propozoi që në komision të ftohet Avokati i Popullit dhe të kërkohet opinion ligjor nga Kuvendi për disa nga ankesat, derisa përmendi se të çfarë natyre kanë qenë ankesat drejtuar komisionit.

“Para neve janë ankesat të cilat i kanë dorëzuar Mehdi Geci dhe Edona Hajrullahu, pastaj Besarta Zuka dhe Arbnor Murturi. Ne qysh kemi lexuar ankesat, njerëzit janë duke u ankuar në procedurën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe Mehdi Geci dhe Edona Hajrullahu është për shkelje ligjore nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit në procesin e zgjedhjes së kandidatëve për 5 zëvendës. Ne tash kemi disa mundësi, një prej mundësive është me thirr Avokatin e Popullit ose monitoruesit të cilat kanë qenë prezent në momentin e zgjedhjes së kandidatit ose një prej anëtarëve të komisionit i cili ka vlerësuar kandidatët. Mundemi sot me bisedua për këto ankesa dhe me procedua me lyp interpretim ligjor prej anës së Kuvendit”, tha ajo.

Këtij propozimi i ka dhënë përkrahje edhe anëtarja e komisionit nga LVV, Saranda Bogujevci, e cila tha se duhet të ketë interpretim ligjor sa i përket një pjese të ankesës.

“Dy i kemi prej zëvendësavokatëve të Popullit që kanë qenë më herët dhe që ndërlidhet direkt sipas tyre në shkelje nga institucioni, ndërsa disa prej të tjerave ndërlidhen me çështjen e aplikimit, por që në bazë të dokumentacionit që e kemi këtu para vetës nuk është se është kthyer ndonjë përgjigje në bazë të pyetjeve të tyre direkte. Mendoj që në një element pajtohem me ty në kërkesën për interpretim ligjor sa i përket një pjese të ankesës, ndërsa mundemi ndoshta me shkrim të kërkojmë prej Institucionit të Avokatit të Popullit sa i përket ankesave të disa prej aplikuesve që kërkohet në bazë të cilave nene iu është refuzuar aplikimi i tyre”, tha ajo.

Në anën tjetër, anëtarja e komisionit nga PDK, Eliza Hoxha, tha se nëse ka kaq shumë ankesa për këtë proces duhet të thirren në komision edhe personat të cilët janë ankuar.

“Nëse kemi kaq shumë ankesa mendoj që është shumë brengosëse dhe mendoj që përveç Avokatit të Popullit ne ish dashtë me i thirr dhe me i taku edhe njerëzit që janë ankuar, me i dëgjua personalisht. Po më duket shumë absurde në një institucion kaq të lartë që rregullon dhe përkujdeset që the kujdestar për të drejtat e njeriut me pas kaq shumë ankesa”, tha ajo.

Në mbledhje të këtij komisionit, deputetja Saranda Bogujevci, ka kërkuar që në mbledhjen e radhës si komision të trajtojnë projektligjin kundër dhunës në familje, e për çka u vendos që së pari deputetët të marrin materialin e nevojshëm e më pas të diskutohet në Kuvend.