Komuna e Skënderajt ka shpallur sot thirrjen për aplikim për ndarjen e bursave për studentët e kësaj komune për vitin 2021.

Bekim Jashari, kryetar i kësaj komune, ka bërë të ditur se këtë vit do të ndahen 164 bursa për studentë, me nga 300 euro për secilin prej tyre.

“Po ashtu kërkoj nga donatorët, bizneset dhe qytetarët e vullnetit të mirë që të bashkëngjiten edhe këtë vit, në përkrahje të studentëve të komunës sonë. Të dashur studentë, ju ftoj që të aplikoni. Afati i fundit për aplikim është 17.06.2021”, ka shkruar Jashari në Facebook.

Ai premtoi se i gjithë procesi do të jetë transparent dhe vlerësimi do të bëhet sipas kritereve të përcaktuara./21Media