Gashi: Problemin më të madh e kemi me lëvizjen e njerëzve nga një komunë në tjetrën

Gashi: Problemin më të madh e kemi me lëvizjen e njerëzve nga një komunë në tjetrën

Nga sot me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë qytetarët e Kosovës do të mund të dalin jashtë shtëpive të tyre vetëm një orë e 30 minuta, dhe kjo mund të bëhet varësisht nga numri i parafundit që ata posedojnë në letërnjoftim.

Përkundër që ky vendim pati kundërshtime, ai po gjen zbatim me përpikëri në të gjitha komunat e Kosovës.

Kështu ka thënë për KP përmes telefonit zëvendëskryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Xhafer Gashi i cili tha se për zbatimin e kësaj mase të reja janë duke i bërë përpjekjet maksimale.

 

Unë besoj që në të gjitha komunat do të bëjmë përpjekje maksimalisht që t’i zbatojnë, sepse të gjitha vendimet që vijnë në këtë rast nga Ministria e Shëndetësisë, dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik do punojmë maksimalisht t ’i zbatojmë dhe implementojmë në përpikëri”, tha ai.

Gashi ka treguar disa nga vështirësitë që komunat kanë hasur në zbatimin e masës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit.

 

Problemin më të madh e kemi çështjen e lëvizjes së njerëzve nga një komunë në tjetrën me ç’rast duhet të aplikojnë paraprakisht nëpër komuna dhe ne më pastaj t’i dërgojmë në Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’i lejohet një leje e veçantë për qarkullim nëse është e domosdoshme”, tha Gashi.

Ai shprehet se komunat janë duke u furnizuar mirë me pajisje mbrojtëse mjekësore nga Ministria e Shëndetësisë.

Xhafer Gashi, i cili është edhe kryetar i Komunës së Obiliqit, thotë se gjendja në këtë komunë është stabile dhe se i kanë ndërmarrë të gjitha masat në parandalimin e pandemisë COVID-19.

Deri sot në Kosovë me COVID-19 kanë rezultuar 387 persona, prej tyre 66 janë shëruar dhe 9 kanë vdekur.