Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda (DKR), ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës nga një muaj paraburgim kundër H.F. nga Skenderaj dhe A.F. nga Mitrovica, për shkak se kanë kryer veprën penale kontrabandim me migrantë.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen nga ana e Prokurorisë së Shtetit dhe se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, qëllimin e të pandehurve H.F., dhe A.F., për përfitim të dobisë pasurore për vete, duke ia mundësuar hyrjen e paligjshme në Kosovë tre shtetasve sirianë, dhe faktin se të pandehurit janë kapur në flagrancë duke i transportuar me dy vetura viktimat e rastit.

Gjykata Themelore në Prizren ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurve në procedurën penale, parandalimin e dëmtimit të provave dhe përsëritjes edhe të veprave tjera penale të kësaj natyre.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.