Projekti për bashkimin e politikës së jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë ka filluar të jetësohet. Në hyrje të ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Kanberra të Australisë, në një hapësirë të vetme tashmë është vendosur flamuri i të dyja vendeve.

Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj përmes një statusi në Facebook.

Ai këtë veprim e ka konsideruar shumë domethënës që do të jetësojë marrëveshjet e përbashkëta në shërbim të një politike të jashtme të bashkërenduar.

“Ja një gjë shumë e bukur e domethënëse. Kjo perlë është hyrja e ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Kanberra të Australisë, në një hapësirë të vetme 🇦🇱🇽🇰! Ky është një prej veprimeve më domethënëse që kemi ndërmarrë deri më sot, për të jetësuar marrëveshjet e përbashkëta, në shërbim të një politike të jashtme të bashkërenduar: e, mes tjerash, kjo përfshin edhe ndarjen e hapësirave në përfaqësitë konsullore dhe diplomatike sipas mundësive objektive. Vazhdimi i këtij projekti është një punë skajshmërisht e rëndësishme, një shfrytëzim më ekonomik i burimeve logjistike dhe me një domethënie të veçantë për marrëdhënien tonë politike“, ka shkruar Cakaj.