Pas procesit paraprak bashkëpunues përgatitor, sot është zyrtarizuar partneriteti bilateral ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Jordanisë në fushën e mbrojtjes.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua në distancë për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, nga shefi i shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Jordanisë, gjeneral major Yousef A. Alhnaity, në emër të palës jordaneze dhe komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me autorizim dhe të ministrit Quni, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

Si marrëveshja bilaterale e 15-të me radhë e bashkëpunimit të Republikës së Kosovës me vendet tjera në fushën e mbrojtjes ka për qëllim bashkëpunimin në fushat si: luftën kundër terrorizimit, operacionet paqeruajtëse dhe humanitare, arsimimin dhe stërvitjet ushtarake, hulumtimin në industrinë e mbrojtjes si dhe shkëmbimin e përvojave në nivel ekspertësh.

Të pranishëm gjatë nënshkrimit të Memorandumit përkatës ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Anton Quni dhe sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Mbrojtjes, Rozafë Ukimeraj.