Ende nuk është zbuluar ndonjë vaksinë, megjithatë institucionet shëndetësore po zotohen se Kosova do të jetë ndër vendet prioritet që do t’i dhurohen ato për luftimin e pandemisë COVID-19. Deklarata të tilla po shihen me skepticizëm, meqë vendi po thuhet se deri më tani ka dështuar në sektorin e shëndetësisë, e që do ta ketë vështirë edhe sigurimin e buxhetit për blerjen e këtyre vaksinave.

Përfaqësues të mjekëve dhe pacientëve po thonë se Kosova nuk duhet të mbështetet në donacione, meqë mund të jetë prioritet në rajon, por jo edhe në nivel global. Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se tash e sa kohë janë duke diskutuar me partnerë ndërkombëtarë për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.

Ditë më parë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani pati deklaruar se Kosova do të jetë ndër vendet prioritet që mund t’i afrohet vaksina. Kështu ai u zotua se Kosova do të jetë e përgatitur edhe për valën e dytë ose të tretë të pandemisë COVID-19.

“Ne shpresojmë që në fillim të sezonit dimëror, së pari do të vaksinohen popullata e ndjeshme, dhe sipas indikacioneve epidemiologjike për gripin sezonal. Dhe së dyti së shpejti pritet të dalë vaksina COVID-19, dhe Kosova është ndër vendet me prioritet që mund t’i afrohet vaksina. Dhe ne kemi bërë edhe planin për vaksinim të popullatës, së bashku edhe me vaksinën e gripit sezonal. Dhe si shtet besoj që jemi të përgatitur edhe për valën e dytë ose të tretë”, ka deklaruar ai.

Por, një deklaratë e tillë po shihet me skepticizëm nga kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu për çka tha se institucionet shëndetësore nuk duhet të bazohen në donacione. Ai shtoi se Kosova mund të jetë prioritet për mbështetje në rajon, por jo edhe në botë.

“Gabim i madh i institucioneve të Kosovës është nëse mendojnë që çdoherë na sjellin donacione. T’i përgatitu ta kesh, por gjithsesi do të vijnë siç kanë ardhur përkundër përgatitjeve buxhetore që kemi pasur për pandeminë. Por, ato janë si ndihmesë, por jo të mbështetemi ne se do të sjellë babadimri. Ne nuk guxojmë të mbështetemi. Kosova në rajon mund të jetë prioritet për mbështetje, por jo në nivel global… Ne nuk guxojmë të mbështetemi vetëm në donacione”, theksoi ai.

Sejdiu konsideron se Kosova duhet të ketë prioritet sigurimin e vaksinave.

“Ka qenë një deklaratë e përfaqësuesit të OBSH-së për Evropën Juglindore ku thuhet që Kosova nëse në vjeshtë tash bëhet (zbulohet vaksina), në fund të pranverës do të arrijnë në Kosovë. Nëse është deklarata e tij, pas gjashtë muajve do të arrin te ne”, shtoi Sejdiu.

Se Kosova nuk mund të jetë prioritet në sigurimin e këtyre vaksinave e tha edhe drejtuesi i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra.

Sipas tij, sektori i shëndetësisë është lënë gjithmonë anash dhe kështu vështirë se mund të ketë buxhet për sigurimin e këtyre vaksinave.

“Me këtë anashkalim të sektorit të shëndetësisë, ne nuk mund të presim që ne të kemi buxhet që ta blejmë atë vaksinë. Nuk e di me çfarë sensi është thënë se do të jetë prioritet, por si do të jetë prioritet kur ne nuk kemi kapacitet paguese. Shteti nuk ka ndarë ende me sa kam parë një buxhet që do i mbulojë të gjithë qytetarët e rrezikuar nga COVID-i. Gjithashtu nuk kemi edhe ndonjë vaksinë në horizont që mund ta shohim, që është gati për t’u blerë. Ato shtete që kanë qenë prioritet për shembull Britania, SHBA-të kanë kontraktuar me kompanitë farmaceutike që momentin që del vaksina ato ta marrin të parat. Unë nuk e di si Kosova mund të jetë e para”, theksoi Kodra.

Pika e parë e Kartës së Drejtave të Pacientëve thekson se pacientët duhet të kenë qasje në masat preventive. Kodra shtoi se shteti ka dështuar deri më tani të ofrojë mbrojtje për pacientët.

“Shteti deri më tani ka dështuar në masë të madhe të sigurojë një mbrojtje. Ka dështuar të sigurojë maska për ta, të cilat e kanë një çmim shumë më të lirë se vaksina. Por, ne nuk mund të jemi gjithmonë peng i donacioneve. Por, shëndetësia duhet të ketë një buxhet shumë më të lartë, si për çështjet e COVID-it, ashtu edhe për problemet e tjera shëndetësore”, u shpreh Kodra.

Në një përgjigje me shkrim, zyra për informim e Ministrisë së Shëndetësisë theksoi se janë duke diskutuar me partnerë ndërkombëtarë për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.

“Në këtë kontekst, përmes OBSH-së dhe drejtpërdrejt janë zhvilluar kontakte të drejtpërdrejta me aleancën COVAX e cila faciliton shtetet për të siguruar vaksinat COVID-19. Bordi i GAVI-it ka listuar shtetet të cilat janë klasifikuara për donacion. Ndër to është e listuar edhe Kosova. Kjo nënkupton që Kosova do marrë vaksinat COVID-19 vitin e ardhshëm për të mbuluar 20% të popullatës, derisa pjesën tjetër do ta blejë vet apo ta sigurojë edhe në forma të tjera”, u bë e ditur në përgjigjien e MSh-së.

Në bazë të kësaj përgjigjie, bëhet e ditur se Kosova do të angazhohet për sigurimin e 20 për qind të vaksinave si donacion.

“Fjala është për rreth 20 % te vaksinave. Kosova do të angazhohet të sigurojë rreth 1.2 milionë vaksina anti-Covid. MSh synon qe me vaksinë anti-Covid të mbulojë rreth 70% te popullatës brenda të cilës përqindje përfshihen të gjitha grupet e rrezikuara. Kosova është pjese e listës së shteteve me ekonomi me të ardhura të ulëta dhe të mesme të cilat do të kenë akses në vaksinat COVID-19 përmes angazhimit të tregut të përparuar COVAX të Gavi (AMC). U tha se sipas nevojës edhe do të blihen të tjera”, u thkesua ndër tjera në këtë përgjigje.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, Kosova ka qenë vendi i parë në rajon që pati siguruar vaksinat kundër AH1N1 apo i njohur ndryshe si “gripi i derrit”.

Aktualisht, në botë janë duke u zhvilluar mbi 100 vaksina potenciale kundër koronavirusit. 21 vaksina janë në fazën e provave klinike dhe të gjitha vendet po përpiqen t’i sigurojnë ato. Vendet më të vogla dhe të varfra në përgjithësi përpiqen të sigurojnë vaksinën përmes skemave të përbashkëta ndërkombëtarë, siç është COVAX, e udhëhequr nga OBSh-ja, Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI) dhe Gavi (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin). /kp