Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde kanë nënshkruar shkëmbimin e protokollit të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Federale të Gjermanisë. Kjo marrëveshje do t’i sjell vendit rreth 72 milionë euro nga Gjermania gjatë dy viteve të ardhshme.

Shefja e kuletës së shtetit, Hykemete Bajrami tha se me këtë do të financohen dhe bashkëfinancohen shumë projekte zhvillimore për Kosovën.

Ndërsa, ambasadori gjerman tha se vendi i tij gjithmonë do t’i qëndrojë në krahë vendit për sfidat e së ardhmes.

Gjatë dy viteve të ardhshme bashkëpunimi zhvillimor me Gjermaninë do të fokusohet në fushat në vijim: Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, mbështetje për arsimin profesional të orientuar kah tregu i punës dhe aktivitetet për zhvillimin e sektorit privat, siç është përmes Parkut Inovativ-Trajnues Kosovaro-Gjerman në Prizren. Më tej do të jepet mbështetje për procesin e reformave të integrimit evropian dhe kontribut drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës, përfshirë projektin për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave të ngurta në përputhje me standardet evropiane. Aty modernizimi i sektorit të energjisë, ku investimet gjermane do të përmirësojnë efiçiencën e energjisë dhe të rrisin pjesën e burimeve të ripërtërishme, kryesisht përmes energjisë solare. /21Media