Kosova, vend me potencial në turizëm dhe sport
Në Prishtinë sot është hapur Panairi i Turizmit dhe Sportit që do të zgjasë për dy ditë e që po mbahet në Pallatin e Rinisë dhe ku po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve dhe bizneseve nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Italia dhe vende të tjera.
Në hapjen e panairit, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari deklaroi se ky panair do të sjellë shumë benifite për Kosovën, pasi vendi ynë ka se çfarë të ekspozojë dhe të paraqesë para vendeve të tjera, si në turizëm ashtu edhe në sport.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama deklaroi se organizime të tilla shpërfaqin më së miri mundësitë që mund të ofrojë Kosova si në turizëm ashtu edhe në sport. Ai shtoi se prania e shumë drejtuesve të bizneseve në këtë panair është tregues se ka interesim të madh për zhvillimin e turizmit në Kosovë.
Kurse, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, tha se sukseset e mëdha që Kosova ka arritur dhe po vazhdon t’i arrijë në sport kanë ndikuar fuqishëm në forcimin e imazhit të Kosovës në të gjithë botën duke dëshmuar se Kosova ka se çfarë të ofrojë nga kjo fushë.
Sipas Krasniqit, nga organizatat sportive në vend po bëhet punë e madhe çdo ditë në mënyrë që shtetet nga e gjithë bota të njoftohen me potencialin që kanë të rinjtë tanë dhe që sukseset e arritura janë tregues i një pune të palodhshme në vendin tonë.