Komisioni për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media ka përkrahur sot iniciativën e deputetit Elbert Krasniqi që në Ligjin për Festa Zyrtare të përfshihet data 24 qershor, si dita e egjiptianëve.

Në këtë mbledhje të komisionit ku është diskutuar plotësim ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare është vendosur që nisma e deputetit Krasniqi të dërgohet për votim në seancë.

Deputeti Elbert Krasniqi, në arsyetimin e tij ka thënë se kanë kërkuar që në Ligjin për Festa Zyrtare të përfshihet data 24 qershor si dita nacionale e egjiptianëve të Kosovës.

“Ne kemi filluar një iniciativë ligjore për plotësim ndryshimin e Ligjit për Festat, në këtë ligj mungon dita e egjiptianëve të Kosovës, ne kemi propozuar që data 24 qershor të njihet si ditë nacionale e egjiptianeve në Kosovë dhe kemi bërë një propozim për ndryshim të fjalisë së fundit ku konsiderojmë që është jo kushtetuese në fund të fundit dhe jo demokratike që dikush tjetër të vendos për të tjerët, komuniteti serb të vendos për festat tjera zyrtare. Besoj që është jo kushtetuese kjo”, ka thënë ai.

Kryetari i këtij komisionit, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar që në kuadër të plotësim ndryshimit të Ligjit për Festa Zyrtare, përveç kërkesës së deputetit Elbert Krasniqi, të përfshihen edhe propozimet e Qeverisë së Kosovës në kuadër të plotësim ndryshimit të këtij ligji.

Ai ka deklaruar se ndër rekomandimet e Qeverisë është edhe neni 4 që të riformulohet se kur festat zyrtare bien në ditët e vikendit të mos pushohet në ditët pasuese të punës.

Mirëpo, kërkesa e tij nuk është përkrahur nga deputetët e këtij komisioni, të cilët kanë kërkuar që në seancë të dërgohet si nismë e veçantë vetëm ajo për caktimin e datës 24 qershor si ditë e komunitetit egjiptian.

“Si nismë me e dërgua drejtpërdrejtë në seancë me komisionet e tjera funksionale në Kuvend e pastaj në seancë apo donë me e bë mendimet dhe rekomandimet e Qeverisë që pastaj ne si komision e bëjmë grupin punues për me e shqyrtua krejt projektligjin, që besoj që për mendimin tim kjo e dyta duhet me qenë, duke përfshirë edhe rekomandimin dhe nismën që e ka bërë Elbert Krasniqi. Besoj që është mirë me u shtrua si çështje, për mendimin tim e dyta është më e mirë që projektligjin edhe me rekomandimet e Qeverisë të bëhet një grup punues dhe të shkojmë përpara”, ka thënë ai.

Pasi që kjo kërkesë e tij nuk është përkrahur, Lushtaku e ka tërhequr rekomandimin e tij dhe iniciativa e deputetit Elbert Krasniqi është dërguar në seancë për votim.

Deputeti i këtij komisioni Albert Kinolli, në arsyetimin e tij se pse kjo iniciativë duhet të shkojë si e veçantë ka deklaruar se është arsyeja se sa herë ka shkuar në pako nuk është votuar.

“Hendikep ka qenë që kjo iniciativë apo ky propozim i cili ka ardhur e që është legjitim, nuk është votuar vetëm për një arsye, për shkak se ka ardhur në votim në seancë në pako me një festë të komunitetit serb. Unë nuk po dua këtu vetëm në mënyrë deklarative me thënë që jam pro edhe aty me u ndal, unë jam për me vazhdua dhe me sinqeritetin më të madh me kërkua me e dërgua deri në fund edhe me e realizua. Është alogjike që një komunitet i caktuar me vendos për komunitetin tjetër dhe të jem i sinqertë, po ju premtoj që duke u bazuar në përvojat e deritashme nëse ky propozim prapë shkon në pako unë ju garantoj që prapë nuk ka me kalua”, ka thënë ai.

Propozuesi i kësaj nisme, deputeti Elbert Krasniqi ka kërkuar që të dërgohet në seancë për votim, pasi është shprehur se edhe Qeveria i ka dhënë rekomandim pozitiv propozimit të tij.

Në këtë mbledhje të komisionit është diskutuar edhe për Ligjin për Zyrtarët Publik, ku sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi duhet të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësim ndryshim të këtij ligji në harmoni me gjetjet e aktgjykimit të kësaj gjykate.

Anëtarët e këtij komisioni me vota unanime këtë ligj ia ka dërguar Qeverisë si sponsorizues i saj, e të cilës i kanë kërkuar që së bashku me Ligjin për Zyrtarët Publik të sjellë edhe Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Kryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku ka thënë se është mirë që projektligji për Zyrtarët Publik të dërgohet në Qeveri si sponsorizuese e këtij ligji.

“I kemi dy propozime, të marrim ta bëjmë grupin punues ne si komision dhe t’i reflektojmë këto ndryshimet e aktgjykimit apo të dërgojmë në Qeveri, në këtë rast tek sponsorizuesi. Unë si kryetar i komisionit vlerësoj edhe në bazë të praktikave më herët është që zakonisht i kanë dërguar Qeverisë pastaj ata e kanë sjell prapë tek komisioni…Meqenëse Qeveria u tregua neglizhente deri më tani për arsye se e ka përmendur nëpër seanca të Kuvendit po nuk ka ndërmarrë asnjë hap atëherë ne si komision besoj që është mirë edhe kjo nismë ligjore në këtë projektligj për pagat në sektorin publik të vendoset në prioritet. Projektligji i Zyrtarëve Publik që e drejtuam kah Qeveria për plotësim ndryshimin me ardhë me gjithë projektligjin për pagat në sektorin publik”, ka shtuar ai.

Në këtë mbledhje është diskutuar dhe është miratuar edhe plani i punës së komisionit për vitin 2020.